Berisha publikon një “bombë” për Edi Ramën, përmendet edhe një shqiptar nga Shkupi

Ish kryeministri Berisha akuzon Edi Ramën se e ka ndërruar emrin për shkak të një krimi të tmerrshëm në një hotel të Spanjës

Duke iu referuar formularëve të vetëdeklarimit për ligjin e dekriminalizimit, ku Rama ka shkruar se e ka ndërruar emrin nga Edvin në Edi, Berisha tha se kjo lidhet me të shkuarën e tij. Me këtë rast, Berisha sërish ka përmendur Daut Kadriovskin nga Shkupi, të cilin mediumet në Tiranë e vlerësojnë si narko-bosin më të madh ballkanik.

“Le të vijë këtu Edvin Kristaq Rama për të cilin jam akuzuar mijëra herë se po i ndërroj emrin, ja që del se e ka ndërruar ai emrin, nuk ia kam ndërruar unë. i kam thirrur në emrin e vërtetë. Të vijë këtu të tregojë se nga Edvin u bë Edi për shkak të dosjes spanjolle për shkak të Kadrovskit, për shkaqe të cilat ai duhet ti sqarojë sepse ai ndërrim emri në një kohë kur pikërisht janë përfolur këto që them unë, në një kohë kur mediat e kanë akuzuar për një krim të tmerrshëm në hotelet e Spanjës, për Kadrovski e akuzonte për të shoqen, Dilën, të vijë këtu të thotë ç’është ky ndërrim emri”, tha Berisha.

Kush është Daut Kadriovski?

Mbetet ende mister dhe e pazbardhur CD-ja që Erion Braçe thotë se mori nga Daut Kadriovski, i dënuar më shumë se një herë për trafik droge e krime të tjera në disa vende. E ndërkohë që ky i fundit thotë për median se ka folur me prokurorë në Tiranë ku ka dëshmuar prova për lidhjet e tij me të majtën shqiptare e krerë të saj, ende nuk është qartësuar nëse ka nisur ndonjë hetim mbi këtë bazë. Madje, e paqartë është edhe nëse veç hetimit të filluar për shantazh, prokuroria ka ndërmarrë edhe ndonjë tjetër për të zbardhur se sa të vërteta janë të dhënat në CD-në enigmatike. Lidhjet e opozitës së sotme me Kadriovskin nuk u përmendën për herë të parë nga Kryeministri Berisha në nëntor të këtij viti, siç pretendon i përfoluri në këtë CD, Erion Braçe, por edhe më herët, duke filluar madje që nga viti 2002, por edhe në mjaft raste të tjera.

Deputeti demokrat Edi Paloka i ka kujtuar më shumë se një herë kryesocialistit Edi Rama se ende nuk janë zbardhur akuzat e Kadriovskit se i ka vrarë të shoqen për një thes droge, se ende sjanë zbardhur plotësisht akuzat e Dondollakut për lidhjet e ndërsjella në krimin ekonomik dhe as ato të ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, se e kishte parë Edi Ramën teksa konsumonte drogë të rënda në zyrën e tij të punës. Nga ana tjetër, dëshmitë për lidhje me trafikantë të drogës janë përfolur shpesh edhe brenda opozitës, kur pjesëtarë të saj kanë akuzuar njëri-tjetrin për lidhje të ndryshme.

(Visited 352 times, 1 visits today)